Zëvendësdrejtori gjeneral i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, ka ofenduar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili, e cila të enjten deklaroi se ky medium ndërpreu transmetimin live kur në një komision po përmendej emri i Shalës.
Shala ka shpërthyer me ofendime në Facebook, duke thënë se ka dëshirë që Kica-Xhelili, t’ia përmend atij emrin dhe se kjo e fundit “e ka mendjen vetëm tek ai”.
“A e caktojmë një takim Doarsë, për drekë a për darkë a? Që donë i thërrasim edhe ato mikeshat e tua në RTK! Kënaqemi edhe të tregoj për krejt RTK-në, edhe nime e kupton çka është RTK-ja. E miqtë e RTK-së?! Jo valla s’po i thërrasim”, ka shkruar Shala në Facebook.
Kica-Xhelili, që njëherit është kryetare e Komisionit Parlamentar për Media, ka thënë se këtë çështje nuk ka dashur ta ngris, megjithatë sipas saj, ndërprerja e transmetimit kur përmendej emri i Shalës ka qenë e çuditshme.
“Kam kuptuar se në kohën kur kjo po jipej nga RTK live, është ndërprerë në momentin që kemi filluar të flasim për z.Shala. Nuk kam dashur të ngris çështje sa për të qenë. Ka qenë pak e çuditshme që në ato momente është ndërprerë transmetimi por sinqerisht nuk dua të lëshohem në atë pjesë”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.
E pyetur nga KOHA, Kica-Xhelili, ka thënë se nuk ka komente për deklarimet e Shalës.