Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se rritja e numrit të rasteve të reja me COVID-19 në vend ndërlidhet edhe me numrin e shtuar të testimeve.
Ai, në Edicionin Special në Klan Kosova, ka deklaruar se ani se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 828 raste të reja përqindja e infeksionit mbetet e njëjtë si në ditët e kaluara.“Gjatë gjithë javës bashkërisht me IKSHPK-në dhe SHSKUK-në është trajtuar situata epidemiologjike në vend.
Sot kam ftuar edhe komitetin që ta bëjmë një vlerësim të situatës me shumë akterë të tjerë të përfshirë, siç kemi bërë edhe në të kaluarën gjithmonë në konsultime paraprake, por mbi të gjitha vlerësimet dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë të merren parasysh”.
“Ka një rritje të numrit të rasteve, megjithatë kemi rritje shumë të madhe të testimeve dhe gjurmimeve të rasteve aktive. Është e mundimshme për IKSHPK-në, por kemi premtuar dhe kemi realizuar fuqizimin e kapaciteteve testuese. Sot kemi kaluar numrin 5000 të testimeve në Republikën e Kosovës.
Përqindja ka mbetur e njëjtë nga ditët e kaluara, edhe sot pozitiviteti ishte 16.2 %, por gjithmonë marrim parasysh kapacitetet spitalore që edhe pse janë të rritura në ecjen tonë të menaxhimit të situatës mund ta vënë në stërngarkesë nga rritja se moshat e vjetra janë target i sulmeve më aktive nga virusi”.
Zemaj ka thënë se edhe gjatë kësaj jave do të përcillet situata epidemiologjike në shkolla dhe më pas do të vendoset nëse nxënësit do të shkojnë në një pushim njëjavor apo mësimi do të kalojë në sistem online.“Ju e dini që ne në vlerësimin apo edhe menaxhimin që kemi bërë bashkërisht me Ministrinë e Arsimit, Task Forcat dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit mësimi është mbajtur pa ndërprerë nga 15 shtatori. Kemi pasë vetëm nëntë ditë më herët që është shkuar në pushim të parakohshëm. Vlerësimi i Ministrisë së Arsimit dhe profesionistëve që i kanë në kuadër të departamenteve të tyre ka qenë që mundësisht të jetë vetëm një javë pushim dhe të eliminohet mësimi online që është vlerësuar se nuk e ka pasë efektin e duhur të nxënies së mësimdhënies në të gjitha nivelet”.
“Është konkluduar që edhe këtë javë të përcjellet situata epidemiologjike, të trajtohen rastet e infeksioneve të mësimdhënësit ose të fëmijët, dhe duke filluar nga java tjetër të ketë një vlerësim të situatës dhe të krijohet mundësia e përgatitjes së Ministrisë së Arsimit për etapat eventuale nëse paraqitet nevoja që të shkohet në pushim të parakohshëm ose të kalojmë në sistem online në të gjitha nivelet e sistemit arsimit”.
A ndërlidhet gjithë situata aktuale me masat kundër COVID-19 dhe mosmarrja e vendimeve me ndërrimin e qeverisë.“Nuk e kemi trajtuar në këtë formë dhe besoj që nuk duhet ta trajtojë askush në mënyrën e tillë. Me marrjen e përgjegjësive në qeveri e kemi marrë një situatë pothuajse të lirimit të plotë pa ndonjë vlerësim paraprak apo pa pranin detyre që të përcjellim situatën epidemiologjike.
Unë nuk do të lejoj si Ministër i Shëndetësisë ashtu si edhe kryeministri në detyrë që të bëhet një tranzicion i tillë, apo një paqartësi në pjesën e përcjelljes së zbatimit të masave”.