Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka kërkuar nga bashkatdhetarët që të mos grumbullohen.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve, numri i të infektuarve me koronavirus mund të rritet, pasi që siç theksoi ai, shumë bashkatdhetarë vijnë nga vendet që janë me rrezikshmëri të lartë, raporton lajmi.net.
Në një konferencë për medie, Zemaj, ka kërkuar nga bashkatdhetarët që t’i evitojnë grumbullimet.
“Ajo çka duhet të them është se gjithë bashkatdhetarët, ata që kanë ardhur dhe që do të vijnë. Ju e dini se vijnë dhe do të vijnë nga vende të rrezikut të lartë dhe vijnë nga vendet që kanë “lock doen”, dhe Kosova nuk e ka atë vendim dhe dëshirojmë që ta mbajmë këtë, pro dëshirojmë që të jenë vigjilent dhe të zbatojnë të gjitha masat. Pra të jenë më të kujdesshëm në grumbullimin e tyre. Edhe sot ju bëjmë ftesë që të kontribuojnë në ruajtjen e kujdesit dhe të mos kontribuojnë në rritjen e rasteve në klinika”, deklaroi Zemaj.
Ai po ashtu bëri të ditur se këtyre ditëve do të ketë më shumë kontrolle dhe inspektime, dhe kërkoi nga të gjithë që të respektohen të gjitha masat e marra nga institucionet kosovare.
“Duke parë që këto ditë kemi edhe fluks të madh të bashkatdhetarëve, ne duhet të jemi të kujdesshëm. Masat duhet të mbikëqyren në mënyrë rigoroze në kufi dhe brenda. Nuk guxojmë që të na dështojë asnjë hallkë e mbikëqyrjes sepse dështojmë të gjithë. Është e kotë që ne të marrim masa nëse zbatimi dhe mbikëqyrja e tyre dështon”, theksoi Zemaj në këtë konferencë.
Tutje Zemaj, përsëri bëri thirrje që të gjithë qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal dhe theksoi se ka vaksina të mjaftueshme dhe se ato janë të kualitetit të lartë.