Kolonel Martin O’Donnell, zëdhënës i Komandës së Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, tha se stërvitja ushtarake shumëkombëshe DEFENDER Europe 23 merr në konsideratë edhe situatën në veri të Kosovës.
Në një intervistë për DW, Kolonel O’Donnell ka thënë se për shkak të rrethanave në Kosovë dhe shqetësimeve të SHBA-së për situatën e sigurisë, Komanda Evropiane e SHBA-së përfundoi pjesën e stërvitjes DEFENDER 23 më herët nga sa ishte planifikuar.
“Ushtria amerikane në Evropë dhe Afrikë bën përditë stërvitje në këto dy kontinente. Në këtë mënyrë ne i marrim në konsideratë situatat në afro 100 vende, përfshirë edhe Kosovën”, ka thënë Martin O’Donnell.
‘’Kosova ishte pjesë e Reagimit të Menjëhershëm, një nga tri stërvitjet e veçanta, por të lidhura me DEFENDER 23 që përfundoi muajin e kaluar, më 30 maj. Për shkak të rrethanave në Kosovë dhe shqetësimeve të SHBA-së për situatën e sigurisë, Komanda Evropiane e SHBA-së përfundoi pjesën e stërvitjes DEFENDER 23 më herët nga sa ishte planifikuar. Pavarësisht përfundimit të hershëm stërvitja konsiderohet një sukses pasi trupat nga Shtetet e Bashkuara, Kosova, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin në gjendje të ushtrojnë aftësi ushtarake dhe të forcojnë ndërveprueshmërinë gjatë gati dy javëve të stërvitjes ushtarake’’, shtoi mw tutje ai.
Po ashtu, Martin O’Donnell ka treguar për rëndësinë strategjike që ka Defender 23 për sigurinë rajonale.
“Stërvitja tregon përkushtimin e kombeve evropiane për të rritur nivelin e aftësive dhe ndërveprueshmërisë mes ushtrive të tyre. Sikurse thashë më parë, DEFENDER 23 demonstron aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur trupa dhe pajisje të besueshme luftarake me shpejtësi, siguruar aleatët, penguar ata që do të kërcënojnë paqen e Evropës dhe mbrojtur kontinentin nga agresioni”.
Shqipëria është zgjedhur për herë të dytë si vend pritës për një stërvitje kaq të madhe ushtarake.
Lidhur me këtë Martin O’Donnell ka thënë se Shqipëria ka një histori të gjatë angazhimesh të gjera me NATO-n, duke përfshirë kontributin në stërvitjet e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë.