Një rast i rëndë i blerjes, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve është zbuluar më 31 dhjetor 2025, rreth orës 13:50, brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës, në komunën e Istogut, mëson ekskluzivisht Sinjali.
Sipas informatave të siguruara brenda hetimit, Njësiti i DHTN–Pejë ka pranuar për hetim rastin pas raportimit nga oficerët korrektues të burgut. Gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, oficerët kanë vërejtur të dyshuarin Sali Malluta, rreth 32-vjeçar, duke hedhur një send të dyshimtë nga dritarja e Pavijonit nr. 4, në drejtim të shëtitores së Pavijonit nr. 3.
Pas reagimit të menjëhershëm, zyrtarët korrektues kanë gjetur dy (2) qese me substancë të dyshuar narkotike, e cila pas ekzaminimit ka rezultuar të jetë marihuanë, me peshë të përgjithshme rreth 7 gram.
Lidhur me rastin dhe provat materiale është njoftuar Prokurori kompetent kujdestar, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet për veprën penale “Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Ndërkaq, Gazeta Sinjali raporton se një rast tjetër është evidentuar më 01 janar 2026, rreth orës 00:30, brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës, në komunën e Istogut, mëson eksklutivisht Sinjali.
Sipas informatave, Njësiti i DHTN–Pejë ka pranuar për hetim rastin pas raportimit nga oficerët korrektues. Gjatë një kontrolle rutinë në oborrin e pavijonit të hapur, janë gjetur katër (4) cigare me marihuanë (jointa).
Nga matjet paraprake, peshë e përgjithshme e substancës së dyshuar narkotike rezulton të jetë rreth 4 gram. Aktualisht, nuk ka persona të dyshuar lidhur me këtë rast.
Për gjetjen dhe provat materiale është njoftuar Prokurori kompetent kujdestar, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Hetimet për të dyja rastet po vazhdojnë nga Njësiti DHTN–Pejë.
