Dogana e Kosovës ka njoftuar se në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë është realizuar një kontroll i detajuar i një automjeti, pas selektimit për verifikim rutinor nga zyrtarët doganorë.
Sipas njoftimit, pas deklarimit nga drejtuesi i mjetit se nuk posedonte mallra për deklarim, është kryer kontroll fizik i automjetit, me ç’rast në hapësirën e bagazhit janë gjetur 40 tonerë të padeklaruar, për të cilët nuk është paraqitur dokumentacion përcjellës, përfshirë faturë apo dëshmi tjetër të origjinës.
Vlera e përafërt e mallit të evidentuar është rreth 2,300 euro.
Siç bëhet e ditur, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore, ndërsa malli është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave administrative nga njësitë kompetente.
Dogana e Kosovës rikujton të gjithë qytetarët dhe operatorët ekonomikë se çdo mall që hyn në territorin e Republikës së Kosovës duhet të deklarohet në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi, dhe se mosdeklarimi përbën shkelje ligjore.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.