Dogana e Kosovës ka njoftuar se zyrtarët doganorë në Pikën Kufitare në Vermicë kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme të mjeteve monetare të padeklaruara, gjatë një kontrolli të detajuar të një automjeti që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.
“Gjatë procedurës së zakonshme doganore, udhëtari kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim. Megjithatë, pas një kontrolli të hollësishëm në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 50 mijë euro në monedha metalike, të cilat ishin fshehur në pjesën e bagazhit të automjetit. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masat e parapara ligjore, ku është konfiskuar 25% e shumës së padeklaruar, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme pranë Sektorit të Hetuesisë”, thuhet në njoftim.





