LAJME

Xhaviti Haliti sërish nuk shkon në seancën gjyqësore për sulmin ndaj Arben Gashit

Xhaviti Haliti sërish nuk shkon në seancën gjyqësore për sulmin ndaj Arben Gashit
TV Prizreni
TV Prizreni
8 Korrik 2022, 13:51

Si rezultat i mungesës së deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti sërish është shtyrë seanca e rigjykimit në rastin ku ai po akuzohet për sulm ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashit që kishte ndodhur në maj të 2018-ës.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Haliti, gjykatësja e rastit Sulltane Hoti deklaroi se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nga fletë kthesa e kthyer më 7 korrik 2022, rezulton se “i kanë lënë lajmërim me shkrim në këtë adresë, nuk erdhi ta tërheqë”.

Gjithashtu në seancë nuk prezantoi as avokati i autorizuar i të akuzuarit Haliti, avokati Kujtim Kërveshi, për të cilin gjykatësja Hoti tha se nuk është kthyer fletë kthesë në gjykatë.

Po ashtu, në seancë nuk ishte i pranishëm as i dëmtuari Arben Gashi, për të cilin gjykata e ka ftuar me ftesë mirëpo për të njëjtin asgjë nuk është kthyer nga zyra e dorëzuesve të gjykatës.

Në këtë seancë i pranishëm ishte vetëm prokurori Fisnik Jakupi, raporton BetimipërDrejtësi.

Andaj pasi që gjykatësja Hoti konstatoi që nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor, seancën e sotme e ka shtyrë në kohë të pa caktuar.

“Seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të njoftimeve lidhur me ftesat e grupuara për këtë seancë”, tha gjykatësja Hoti.

Më 9 qershor të këtij viti kishte dështuar shqyrtimi gjyqësor shkaku se Xhavit Haliti ishte në udhëtim jashtë vendit.

Në tetor të 2019-ës, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte dënuar me nga 1 mijë e 250 euro gjobë deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin dhe ish-deputetin e AAK-së, Gani Dreshaj, për sulm dhe kanosje të deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në maj të vitit 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Xhavit Haliti më 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë me dashje ka sulmuar deputetin- tani të dëmtuarin Arben Gashi, duke e shtyrë me krahë dhe bërryl në gjoks.

Me këtë, Haliti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika