Ish-deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës nga Prizreni, Xhavit Ukaj, ka reaguar publikisht pasi nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një shkrimi në facebook, Ukaj bëri të ditur se ishte propozuar unanimisht nga Dega e LDK-së në Prizren për të qenë pjesë e listës zgjedhore, por sipas tij, “ata që erdhën sot në LDK” nuk u pajtuan që ai të jetë kandidat për deputet.
Ai tha se gjatë gjithë angazhimit të tij politik ka qenë pranë LDK-së pa interesa personale dhe pa kërkuar përfitime, veçanërisht në periudhat më të vështira për partinë.
Ukaj gjithashtu tregoi se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm kishte votuar kundër që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës, duke theksuar se nuk ka qenë kundër bashkimit brenda partisë, por sipas tij, bashkimi duhet të jetë i sinqertë dhe të respektojë ata që kanë kontribuar ndër vite për LDK-në.
“Ky nuk është bashkim. Bashkimi ndërtohet duke respektuar njerëzit që i kanë qëndruar pranë LDK-së në ditët më të mira dhe në ditët më të vështira. Ata që nuk u larguan kurrë. Ata që nuk e tradhtuan asnjëherë”, ka deklaruar Ukaj.
Ai tha se mos përfshirja në listë ka sjellë zhgënjim, jo për shkak të një pozite politike, por për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen njerëzit që për vite kanë qenë aktivë në terren dhe pranë qytetarëve.
Megjithatë, ish-deputeti theksoi se nuk do të largohet nga LDK-ja dhe se do të vazhdojë të angazhohet për partinë edhe në zgjedhjet e ardhshme.
“Nuk largohem. Nuk dorëzohem. Nuk tradhtoj”, u shpreh ai, duke shtuar se besnikëria ndaj partisë dëshmohet pikërisht në momentet kur ekzistojnë arsye për t’u larguar, por zgjidhet të qëndrohet.
Në fund të reagimit të tij, Ukaj i bëri thirrje anëtarëve, aktivistëve dhe simpatizantëve të angazhohen për LDK-në dhe të mbështesin kandidatët që, sipas tij, kanë qenë gjithmonë pranë partisë në çdo rrethanë.