Lëvizja Vetëvendosje sa ishin në opozitë deklaronin se me ardhjen e tyre në Qeveri do të merrte fund nepotizmi.
Tani, e njëjta parti po akuzohet se ka punësuar bashkëpartiakë e militantë të saj në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Punësimet familjare po i quan si fenomen në Kosovë, deputeti nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti.
Sipas Halitit, me librezën e partisë njerëzit nuk duhet të punësohen.
“Unë nuk e di kush është punësuar dhe çfarë lidhjesh kanë me LVV-në, por duhet të jemi të kujdesshëm që këtij fenomeni që e kemi prezent në Kosovë t’i japim fund, në KEK ka nevojë shumë për profesionalizëm dhe për njerëz që dinë të punojnë. Beteja kundër nepotizmit duhet të jetë edhe e LVV-së edhe partive tjera dhe nuk duhet të bëhen kësi gjërash me librezën e partisë”, u shpreh Haliti.
Deputeti Haliti ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të funksionojnë si në gjithë botën, duke luftuar korrupsionin e nepotizmin.
“Në gjitha pushtet demokratike në perëndim lufta kryesore për të drejtat e njeriut për keqpërdorimin e pushtetit është lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit në politik, e institucionet e Kosovës duhet të funksionojnë ashtu siç funksionojnë në gjithë botën por këtë gjë kush e bënë është e gabueshme”, u shpreh Haliti për Front Online.
Deputetja e LDK-së: Mospunësimi i familjarëve ishte një ndër kauzat e rrejshme të Kurtit
Në lidhje me akuzat për Lëvizjen Vetëvendosje se ka punësuar militantët e tyre në KEK, ka folur edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku.
Bunjaku ka thënë për Front Online se kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë më parë, ani pse partia në pushtet i ka akuzuar këta të fundit.
“Realisht punësimi i familjareve është vepër penale dhe kjo nuk ka ndodh asnjëherë, neve si parti politike na kanë akuzuar në të kaluarën që po punësojmë militant dhe pikërisht të njëjtën po e veprojnë por dhjetë fish më shumë se ne”, potencoi ajo.
Sipas saj, mospunësimi i familjarëve është njëra ndër kauzat e rrejshme të Kurtit.
“Z. Albin Kurti ka ardhur në pushtet me kauza të rrejshme se ai ka thënë se të afërmit janë për dasma dhe për ahengje e jo për punësime, kjo është një ndër kauzat e rrejshme të tij ky është rast për Prokurori, ne si Lidhje Demokratike e Kosovës kemi reaguar me kohë dhe i falënderojmë mediat qe e kanë bërë publike këtë konkurs”, u shpreh Bunjaku.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sot ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në lidhje me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.