Home LAJME Xhavit Haliti paralajmëron se mund të votojë ndryshe nga PDK-ja edhe për President

Xhavit Haliti paralajmëron se mund të votojë ndryshe nga PDK-ja edhe për President

0
Xhavit Haliti paralajmëron se mund të votojë ndryshe nga PDK-ja edhe për President

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti thotë se presidenti duhet të zgjidhet dhe jo të provokohen zgjedhjet e reja. Deputeti Haliti tha se do varet nga qëndrimi i partisë por që e ruan të drejtën e tij autonome si deputet se si do të votojë.

Pas zgjedhjes së kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, institucioni i vetëm që ka mbetur pa u konstituuar është presidenca.

Koalicionit fitues të zgjedhjeve i duhen të paktën 80 vota në Kuvend për të zgjedhur presidentin e ri, teksa pretendetja kryesore është Vjosa Osmani.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti i tha Gazetës Express se presidenti duhet të zgjidhet shpejt dhe të mos provokohen zgjedhjet e reja.

“Unë kam thënë që është mirë me e votu kandidatin për president dhe kam folur edhe për mundësinë e kandidimit të ndokujt nga opozita por ajo që është me rëndësi është që unë mendoj që është mirë me u zgjedh presidenti sa më shpejt dhe mos i provoku zgjedhjet e reja”, tha Haliti.

I pyetur nëse do të votonte pro Vjosa Osmanit, Haliti tha se varet prej qëndrimit të partisë por e drejta e votës individuale si deputet ekziston.

“Varet prej qëndrimit të partisë, pastaj a pajtohem me partinë apo jo, e drejta jonë është me votu si të na merr mendja, jemi deputetë. Vërtetë është në interes të Kosovës me e kriju edhe institucionin e presidentit. Kjo është realitet, situata aktuale, VV-ja i ka fitu zgjedhjet dhe ne duhet të presim dhe të shohim si po punon dhe të fitojmë betejën opozitare pastaj në variantin që e mendojmë”, tha Haliti.

Ai tha tutje se do ta shqyrtonte votën e tij nëse koalicioni fitues VV-Lista “Guxo” do të siguronte 79 vota për presidentin.

“Po do ta shqyrtoja fort bile, por nuk e di a do të votoja”, u shpreh Haliti.

Kurse, kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se si parti nuk e votojnë Vjosa Osmanin për presidente pasi sipas tij “ajo është një figurë përçarëse dhe për këtë çështje është folur në Këshillin Drejtues të partisë dhe kjo temë është e mbyllur”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here