Për gati 400 vjet, një xhami osmane e shekullit të 16-të ishte në Banjallukë, por u rrafshua nga eksplozivët në mes të natës, më 7 maj, 1993.
Për vite me radhë, copat e saj u mblodhën me durim nga deponi plehrash dhe në lumin Vërbas pranë, me shpresën se një ditë do të ngrihej përsëri.
Dhe, më 7 maj të këtj viti, 31 vjet pas shkatërrimit, xhamia e rindërtuar Arnaudija u rihap.
Kryeimami i saj, Muamer Okanoviq, tha se dyert do të jenë të hapura jo vetëm për besimtarët myslimanë, por edhe për individë të besimeve të tjera.
“Për besimtarët dhe për të gjithë qytetarët, Banjallukës i është rikthyer një nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë së saj”, tha ai, duke shfaqur shpresën se xhamia “do t’i përmirësojë marrëdhëniet mes banorëve të qytetit”.
Sipas Bashkësisë Islame të Bosnje dhe Hercegovinës, restaurimi shtatëvjeçar i xhamisë kushtoi rreth 3.3 milionë dollarë.
Xhamia duket e re, por vizitorët do të mund të shohin edhe pjesë të gurëve origjinalë të shekullit të 16-të dhe detaje të tjera.
“Këto artefakte, këto copa duhet të rikujtojnë çdo vizitor, çdo person që vjen në xhami, se disa gjëra që kanë ndodhur disa dekada më parë, nuk duhet t’i ndodhin më askujt”, tha Okanoviq.
“Detyra e jona është të jemi ndërtues dhe kurrë shkatërrues”, shtoi ai.
Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, më 1992-95, në Banjallukë nuk kishte luftime, por qyteti iu nënshtrua një fushate të qëllimshme dhe sistematike të spastrimit etnik, që çoi në dëbimin e popullsisë joserbe dhe zhduku trashëgiminë e saj kulturore.
Më 7 maj të vitit 1993, fillimisht, u hodh në erë Xhamia e Ferhat Pashës, apo Ferhadija – një objekt i trashëgimisë kulturore që mori mbrojtjen e Agjencisë për Kulturë të Kombeve të Bashkuara, UNESCO, në vitin 1950.
Rreth 15 minuta më vonë, të njëjtin fat e pësoi edhe xhamia Arnaudija.
Xhamia Ferhadija u rindërtua dhe u hap më 7 maj të vitit 2016.
Shkatërrimi u bë me sasi të mëdha eksplozivi, por autorët e aktit nuk u gjetën kurrë.
Në kohën kur lufta në Bosnje përfundoi, më 1995, pothuajse të gjithë myslimanët dhe kroatët e Banjallukës, që përbënin rreth 30 për qind të popullsisë së paraluftës, ishin larguar nga qyteti.
Edhe sot e kësaj dite, pak janë të kthyer në qytet, i cili është qendër politike dhe financiare e Republikës Sërpska – entitetit të banuar me shumicë serbe.
Nga 15 xhamitë e shkatërruara në Banjallukë gjatë luftës, Arnaudija është e fundit që u rindërtua.
Për Okanoviqin, rindërtimi dhe hapja e xhamisë janë një kapitull i ri jo vetëm për Banjallukën, por edhe për Republikën Sërpska dhe pjesën tjetër të Bosnje e Hercegovinës.
“Të fuqishëm, me mendje të pastër dhe arsye, shpresojmë të shohim një të ardhme më të bukur, më të ndritshme për të gjithë brezat tanë”, tha ai.
Gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995, u shkatërruan gjithsej 614 xhami dhe 307 të tjera u dëmtuan.
Gjithashtu u shkatërruan ose u dëmtuan edhe 353 kisha katolike dhe 125 kisha ortodokse.