Lëvizja “Vetëvendose”, qendra në Tiranë, ka mbajtur një konferencë për media ku kanë paraqitur qëndrimin e tyre për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.
Kandidati për deputet, Boiken Abazi ka deklaruar se është e vërtetë se rezultatet e KQZ-së tregojnë se LVV nuk ka fituar mandate, por, sipas tij, tashmë e dihet se kanë fituar me dhjetëra mijëra zemra.
“Është e vërtetë se zgjedhjet janë mbajtur në një situatë ku pushteti ka mbjellur frikë gjatë gjithë kohës dhe nuk ka lënë mjet pa përdorur”, ka deklaruar ai.
Sipas Abazit, opozita e vërtetë në Shqipëri që është e pastër dhe me ideale e vizion është LVV-ja.
Reagimi i plotë:
Rruga jonë është e gjatë e me dallgë, por nuk ka rrugë të shkurtër drejt vetëvendosjes
(Fjala e plotë e kandidatit Boiken Abazi dhe avokates Suela Hasani në konferencën e sotme për shtyp)
Mirëdita dhe faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në këtë konferencë.
Dëshiroj së pari të falenderoj nga zemra të gjithë qytetarët që na kanë votuar në Tiranë, Lezhë e Gjirokastër, tre qarqet ku kemi çuar para tre kandidatura të pavarura.Të gjithë qytetarët që na kanë votuar, e kanë bërë plotë besë e shpresë, dhe si ne edhe votuesit tanë, kanë qenë të qartë se jemi futur në një garë të pabarabartë me kundërshtarë që nuk respektojnë ligjet. Megjithatë, duke e njour situatën, ne e kemi ndërmarrë iniciativën, dhe qytetarët na kanë votuar. Këto janë vota njerëzish idealistë që nuk dorëzohen. Mijëra qytetarë na kanë dëshmuar me votën e tyre se janë gati për ndryshime rrënjësore në Shqipëri. Ne nuk do t’i braktisim aspiratat e tyre, nuk do ta shkelim fjalën e dhënë dhe do ta çojmë para projektin tonë për një shoqëri me të barabartë e me mirëqenie, drejt vetëvendosjes për bashkim.
Vota në qarkun e Tiranës, ku unë kam kandiduar, ka qenë e shtrirë gjeografiksht në të gjithë territorin, në të pesë bashkitë e Qarkut, në Tiranë, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë e Vorë, në qytet e në fshat. Kjo do të thotë se idetë e Lëvizjes tashmë kanë depërtuar kudo. Ne jemi rritur si organizatë dhe kemi rritur njohjen e qytetarëve me programin tonë, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë. Rruga jona është e gjatë dhe me dallgë. Por nuk ka rrugë tjetër, nuk ka rrugë të shkurtër drejt vetëvendosjes.
Sakaq, ndryshimet e mëdha në Shqipëri nuk mund të realizohen nga subjektet e vjetra politike. Këto zgjedhje e dëshmuan këtë. Është e vërtetë se zgjedhjet janë mbajtur në një situatë ku pushteti ka mbjellur frikë gjatë gjithë kohës dhe nuk ka lënë mjet pa përdorur. Është gjithashtu e vërtetë se në Shqipëri është instaluar autoritarizmi elektoral. Ndryshimet e fundit në kodin zgjedhor nga ky pushtet, vetëm sa e kanë përkeqsuar situatën. Por nuk duhet të harrojmë se ky lloj autoritarizmi elektoral ka nisur prej vitit 2008, kur u ndryshua kodi zgjedhor nga PD dhe PS bashkë, për të eliminuar alternativat e reja. Edhe pse nuk mban përgjegjësinë kryesore për këtë situatë, opozita është pjesë e problemit. Kjo është një arsye më shumë se pse opozita nuk frymëzon. Dhe kjo është një arsye pse opozita e vërtetë në Shqipëri, e pastër dhe me ideale, me vizion e me program, gjithnjë e më shumë në sytë e qytetarëve ka për të qenë Lëvizja VETËVENDOSJE!, e pandalshme dhe e pakorruptuar.
Kryeministri Rama tha dje se Partia Socialiste është një makineri. Unë deri diku pajtohem me këtë konstatim. Partinë Socialiste po e shndërrojnë thjesht dhe vetëm në makineri. Ajo ka mbetur pa frymë, nuk frymëzon! Anëtarëve të Partisë Socialiste nuk i ka mbetur më asnjë vlerë përbashkuese. Modeli i instaluar nga Edi Rama synon t’i shndërrojë ata në bulona, dado, kuzhinjeta, pistona apo sedilje. Modeli i instaluar nga Edi Rama në politikë është qytetari që nuk vepron mbi vlera e parime, apo mbi konceptin e së drejtës. Ne e refuzojmë këtë model që e kthen qytetarin në funksion të banalitetit të së keqes.
I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, edhe atyre që mbështesin Partinë Socialiste, që të veprojnë bazuar mbi ndërgjegjen e tyre, dhe të kërkojnë me ngulm moral në politikë. Këtë lloj modeli dhe morali politik, sot në Shqipëri e çon përpara Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Është e vërtetë se rezultatet paraprake të KQZ-së tregojnë se ne nuk kemi fituar mandate, por tashmë e dimë se kemi fituar me dhjetra mijëra zemra. Para se t’i njohim rezultatet, ne e do e çojmë betejën tonë ligjore deri në fund për shkak të shumë dëshmive dhe fakteve që kemi grumbulluar për vjedhjen dhe manipulimin e votës. Një pjesë të këtyre fakteve i kemi bërë publike prej ditës së hënë, kur sapo kishte nisur numërimi i votave. Në lidhje me betejën tonë ligjore ftoj të marrë fjalën avokatja që drejton grupin tonë ligjor, Suela Hasani.
(Fjala e plotë e Suela Hasanit)
Përshëndetje,
Prej dy ditësh kemi paraqitur pranë KQZ-së kerkesën për marrjen e pamjeve filmike. Sakaq, ne tashmë kemi bërë publike disa fakte dhe prova të cilat do të jenë pjesë e kërkesës ankimore që do të dorëzohet në KAS.
Në vijim dëshiroj të paraqes disa prej pikave ku do të bazohet kërkesa ankimore:
• Kryetarët e të gjitha KZAZ-ve kanë penguar hyrjen brenda Vendeve të Numërimit gjatë kohës së pranimit të kutive, duke mos lejuar vëzhguesit të monitorjnë procesin e pranim-dorëzimit të tyre.
• Po këta kryetarë të KZAV-e, pas pranimit të kutive të votimit, kanë nisur të thërrasin dhe lejojnë hyrjen në mënyrë arbitrare vetëm të atyre vëzhguesëvë që ata kanë përzgjedhur subjektivisht.
• Në vendet e numërimit nuk ka patur asnjë rregull për ndarjen e barabartë të hapësirës së monitorimit për vëzhguesit e akredituar.
• Policia e Shtetit ka zbatuar urdhëra të paligjshëm të dhena nga kryetarët e KZAV-ve duke penguar hyrjen në Vendet e Numërimit të vëzhguesëve të akredituar të kandidatit të pavarur Boiken Abazi, si dhe të vet kandidatit, duke mos qenë e paanshme në kryerjen e detyrave për të garantuar trajtim të barabartë të të gjitha subjekteve politike.
• Prania në masë brenda Vendeve të Numërimit të personave të paakredituar, përkatësisht familjarë dhe mbështetës të shtabit të kandidatëve të subjekteve të tjera zgjedhore, duke shkaktuar tensione, duke ndërhyrë me fjalë e deri te përdorimi i dhunës fizike.
• Gjatë procesit të numërimit, janë shpallur të pavlefshmë në total për Qarkun Tiranë 18.422 vota fletë të votimit si dhe shumë fletë të pavlefshme në Lezhë e Gjierokastër. Kemi qenë të parët që e kemi denoncuar këtë fenomen prej ditës së hënë paradite, duke vërejtur me shqetësim se ishim para një vjedhje dhe deformimi të votës. Ky deformim është zbatuar nga një makineri e manipulimit.
(Në këtë pjesë të fjalës së saj avoktaja Suela Hasani paraqet edhe një foto të një flete të votimit e cila kishte një plus në krah të emrit të kandidatit Boiken Abazi dhe një plus në krah të Edi Ramës, për të dëshmuar se nuk nuk kemi të bëjmë me gabime të qytetarëve që ngatërrojnë numrat, por me një skemë të mirëpërgatitur.)
• Vendimi për ta shpallur një fletë votimi të pavlefshme ka patur standarde të dyfishta në të njëjtën tavolinë numërimi.
• Vëzhguesit tanë kanë konstatuar raste kur janë shpallur shumë fletë votimi të pavlefshme pa asnjë arsyetim.
• Vëzhguesit e kandidatit kanë konstatuar raste kur janë shpallur fletë votimi të pavlefshme të cilat më pas i kanë kaluar subjekteve të tjera politike.
• Kemi dyshimin e bazuar se numëruesit kanë kaluar vota për kandidatin e pavarur Boiken Abazi në drejtim të subjekteve të tjera politike.
• Në shumë raste gjatë procesit të numërimit është mbuluar me gisht katrori me numërin 13.
• Kemi kontstatuar se nuk është vendosur pamja e plotë e fletës së votimit ne ekran, duke penguar konstatimin e saktë të votës.
• Vendosja e fletëve të votimit të kandidatit të pavarur Boiken Abazi dhe subjekteve “të reja” politike në të njëjtin deng fletësh jashtë tavolinës së numërimit.
• Përbërja e grupit numërues vetëm nga anëtarë të një subjekti politik.
• Përdorimi i stilolapsit nga ana e grupeve të numërimit mbi tavolinën e numërimit dhe mbi fletët e votimit, duke vendosur shenja në fletët e votimit.
• Refuzimi i dhënies së kopjes së procesverbaleve të nënshkruara të rezultateve të numërimit, dhe mos vendosja e këtyre procesverbaleve në hapësirën e përcaktuar
Krimi elektoral nuk mund të mbetet i pa ndëshkuar. Ne do ta çojmë betejën tonë ligjore deri në fund.
Tiranë, 30 prill 2021
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri
Rruga jonë është e gjatë e me dallgë, por nuk ka rrugë të shkurtër drejt vetëvendosjes
(Fjala e plotë e kandidatit…
Posted by Lëvizja VETËVENDOSJE – Qendra në Shqipëri on E premte, 30 April 2021