Duke folur për mundësin e rikthimit të Kosovës në tryezën e bisedimeve me Serbinë, presidentja Osmani tha se në këtë moment, Kosova nuk mund të sillet sikurse nuk ka ndodhur sulmi i 24 shtatorit. Sipas saj, mossanksionimi i Serbisë nga BE-ja për këtë akt terrorizmi, do të ishte një dëm i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për vetë procesin e dialogut.
“Ndërmarrja e masave lidhet drejtpërdrejt edhe me atë që quhet ‘parimi i mësimeve të mësuara’. Tashmë janë bërë më shumë se 12 vjet në dialog dhe është koha për reflektim, sepse qasja e marrë parasysh përgjatë këtyre 12 viteve për fat të keq e ka inkurajuar Vuçiqin që ai të përdor dhunë dhe të krijojë akt agresioni në raport me Kosovën. Prandaj nuk mund të sillemi kinse nuk ka ndodhur 24 shtatori, duhet të ketë mësime të mësuara dhe i gjithë procesi i dialogut tani të rimendohet në suaza të asaj që ka ndodhur me 24 shtator duke e ditur që është shkelje e qartë e nenit 3 të marrëveshjes të dakorduar me 27 shkurt dhe aneksit të saj në Ohër me 18 mars. Është me rëndësi që Komisioni Evropian të dalë me propozim konkret rreth përket këtyre masave dhe me gjitha këto argumente që ata i kanë para tyre, do të ishte vërtetë dëm i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe dëm i madh edhe për vet procesin e dialogut, në qoftë se nuk ndërmerr asnjë masë në raport me Serbinë.”, tha Osmani
Për deputetin e partisë në pushtet, Adnan Rrustemi, nuk mund të ketë rikthim në dialog pa u arritur një siguri kombëtare dhe pa sanksionimin e Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë.





