Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot mbledhje me qendrat e saj.
Në këtë mbledhje u diskutua rreth situatës aktuale politike, me theks të veçantë zgjedhjet e përgjithshme, të cilat sipas VV-së, duhet të mbahen në një datë sa më të afërt.
Një çështje tjetër që u diskutua ishte votimi i mërgatës ku u kërkua që mundësohet votimi pa probleme për ta.
Postimi i plotë i VV-së:
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhje me qendrat e saj, në të cilën morën pjesë kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, sekretarja organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, Valon Hoti.
Në pjesën e parë të mbledhjes, kryetari Kurti foli rreth zhvillimeve të fundit politike, me theks të veçantë krijimin e rrethanave drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Teksa pritet vendimi zyrtar i Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që data e mbajtjes së zgjedhjeve të jetë më e afërta e mundshme.
Në këtë takim po ashtu u fol edhe për rëndësinë e madhe që ka mërgata jonë. Shteti i Kosovës, përmes institucioneve kompetente, duhet ta bëjë sa më të lehtë mundësinë e votimit nga mërgata, e jo t’ua vështirësojë një gjë të tillë, siç është bërë në të kaluarën.
Pas këtyre diskutimeve mbledhja vazhdoi me çështjet organizative. Viti 2020, përkundër vështirësive që ka patur për shkak të pandemisë e zhvillimeve të tjera në vendin tonë, cilësohet si i suksesshëm organizativisht për Organizatën tonë. Në këtë vit, përmes procesit të brendshëm zgjedhor, kemi arritur të konsolidojmë një pjesë të madhe të strukturave tona organizative, teksa vitin po e përmbyllim me rreth 10 mijë anëtarësime të reja e me fitoret plebishitare në komunën e Besianës dhe në veriun e Mitrovicës.
Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe strukturat e saj organizative janë gati për referendumin që do të ndodhë në këto zgjedhje. Ndryshimi aq shumë i nevojshëm dhe i kërkuar nga populli, nuk ka asnjë arsye të mos lejohet që të ndodhë.