Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Serbisë vendosi që veturat me targa RKS të lejohen të qarkullojnë brenda territorit të saj që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Këtë vendim e ka shpalosur drejtori për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq i cili tha se po e implementojnë një marrëveshje të nënshkruar nga Borko Stefanoviq, tani opozitar serb.
E, për këtë vendim ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se këmbëngulja e tyre e detyroi Qeverinë serbe ta pranojë këtë marrëveshje, teksa e vlerësojnë si arritje të rëndësishme të shtetit e qeverisjes.





