LAJME

VV-ja pret propozime konkrete për presidentin nga opozita teksa afati po shkon drejt fundit

VV-ja pret propozime konkrete për presidentin nga opozita teksa afati po shkon drejt fundit
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Prill 2026, 15:37

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka deklaruar se ditët në vijim janë vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, duke i bërë thirrje opozitës që të paraqesë propozime konkrete.

Sipas tij, deri të martën ekziston mundësia që të dalë një emër konsensual, i cili mund të hidhet në votim në Kuvend.

“Ditët e mbetura janë ditët e reflektimit. Deri të martën nëse ka një emër konsensual mund të provohet të votohet presidenti/ja”, ka thënë Rexhaj në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai kritikoi partitë opozitare për mungesë të zgjidhjeve, duke theksuar se nga ajo që ka parë, ekziston një nivel i lartë i bllokadës, veçanërisht nga Partia Demokratike e Kosovës. Ndërkohë, sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës po shmang ofrimin e alternativave konkrete. Me këto bllokada, Rexhaj thotë se opozita po e çon vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.

“LDK-ja synon të barrikadohet duke mos dhënë asnjë zgjidhje konkrete, duke folur shumë e duke mos thënë asgjë”. u shpreh ai.

Rexhaj shtoi se, pavarësisht takimeve të zhvilluara, deri më tani nuk është propozuar asnjë emër konkret nga opozita. Ai theksoi se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit i takon të gjitha partive politike.

“Në këto orë të mbetura, duhet të ketë tentativa për ta gjetur një zgjidhje. Presidenti zgjidhet me 80 vota, prandaj i takon të gjithëve përgjegjësia”, përfundoi ai.

Kuvendi ka afat deri më 28 prill ta zgjedhë presidentin e ri. Ndryshe, do të ketë zgjedhje të reja parlamentare.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika