Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për fatin e Marrëveshjes së Washingtonit pas zgjedhjes së Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës, tha se është e qartë se kush nuk dëshiron dialog, raporton Tanjug.
“Sa i përket Serbisë, ajo gjithmonë respekton marrëveshjet e nënshkruara, dhe nëse dikush thotë se nuk është i interesuar ta bëjë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por se është i interesuar në ASociacionin e komunave midis Rugovës dhe Sharrit, atëherë është e qartë se ai nuk do dialog”, tha Vuçiq.
Ai po ashtu deklaroi se është i kënaqur me reagimin e Bashkimit Evropian ndaj deklaratave të Albin Kurtit mbi parimet e zhvillimit të dialogut me Serbinë.
Ai gjithashtu theksoi se BE-ja duhej të reagonte, sepse përndryshe, siç thotë ai, “nëse Kurti do të thoshte në dialog vërtet gjithçka që tha, nuk do të kishte kuptim”.
“Ne do të presim edhe pak, për të parë nëse njeriu do të bëjë pak më mirë, për të kuptuar se cilat janë detyrimet e Prishtinës. Nëse ai nuk dëshiron, gjithashtu, faleminderit. Ne do të jemi gati për dialog, dhe nëse ai dëshiron – ai do të dialogojë, nëse nuk do – nuk ka pse”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Vuçiq tha se Kurti së pari duhet t’ia kujtojë vetes detyrimet që i ka Kosova nga marrëveshjet e mëparshme të nënshkruara me Serbinë.
“Pa përmbushur detyrimet, ai mund vetëm t’i imagjinojë marrëzitë që po i thotë”, tha Vuçiq.