LAJME

Vuçiq – Sorensenit: Prishtina ka për qëllim ta përshkallëzojë situatën

Vuçiq – Sorensenit: Prishtina ka për qëllim ta përshkallëzojë situatën
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Shkurt 2026, 10:45

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Prishtina ka për qëllim ta përshkallëzojë situatën, gjatë një takimi me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Në një postim në Instagram të mërkurën, Vuçiqi bëri të ditur se me Sorensenin ka zhvilluar një bisedë të hapur lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut dhe vazhdimin e tij me përfshirje më aktive të BE-së.

Ai theksoi se ka ngritur shqetësimin për, siç u shpreh, pozitën e serbëve në Kosovë dhe ka paralajmëruar për atë që e quajti synim të Prishtinës për të zbatuar nga 15 marsi “vendime të reja përshkallëzuese dhe thellësisht diskriminuese”, të cilat sipas tij rrezikojnë mbijetesën e popullit serb, duke aluduar te hyrja në fuqi e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete.

Nëse hyn në fuqi nga 15 marsi, siç është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, Ligji për të Huajt parasheh që shtetasit e huaj që qëndrojnë më gjatë në Kosovë janë të obliguar të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orësh që nga hyrja. E Ligji për Automjete thotë se personat që mbajnë vetura me targa të huaja në Kosovë do të gjobiten nëse e tejkalojnë kufirin ligjor tremujor të qëndrimit në vend.

Vuçiqi u ka kërkuar ndërkombëtarëve që t’i marrin seriozisht këto çështje dhe të bëjnë gjithçka për të siguruar respektimin e të drejtave të serbëve. Ai gjithashtu ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në aleancën ushtarake rajonale me Shqipërinë e Kroacinë, duke vlerësuar se një hap i tillë do të rriste tensionet dhe do të kërcënonte sigurinë.

Presidenti serb ka theksuar nevojën për ndërmarrjen e hapave konkretë drejt formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se serbët në Kosovë kanë 13 vjet që presin zbatimin e këtij obligimi.

Para dy ditësh, Sorenseni qëndroi në Prishtinë ku pati takim me kryeministrin Albin Kurti./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika