Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur zemërim ndaj Turqisë pas paralajmërimit se ky vend do të furnizojë Kosovën me dronët “Bayraktar”.
Vuçiqi, duke komentuar lajmin se Turqia do të armatosë Kosovën me dronët “Bayraktar”, tha se kjo do të ndikojë më marrëdhëniet mes dy shteteve.
“Nuk është as lajm i lehtë dhe as i mirë për ne dhe kjo do të ndikojë në marrëdhëniet tona, edhe pse ne e respektojmë shumë presidentin Erdogan”, tha Vuçiqi.
Qeveria e Kosovës e ka në agjendën e saj dhe po punon për çështjen e blerjeve të dronëve ushtarakë të prodhimit turk, Bayraktar. Kështu ka thënë ministri i Zhvillimit Rajonal në qeverinë e Kosovës, Fikrim Damka, për agjencinë shtetërore të lajmeve turk Anadolu, shkruajnë mediet në Prishtinë.
Në të kaluarën Turqia e ka ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës kryesisht përmes donacioneve. Vetëm para pak kohësh Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar kontratë për blerjen e automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje armatimi.