Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se heshtja e ndërkombëtarëve për arrestimin e pesë serbëve në Kosovë nën akuzat për krime lufte është patetike, raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).
Prokuroria Speciale e Kosovës të shtunën njoftoi se pas hetimit disamujor ka arrestuar pesë serbë të cilat dyshohen për krime lufte. Sipas Prokurorisë, të arrestuarit dyshohet se në prill të vitit 1999 në disa fshatra të Komunës së Gjilanit vranë, plagosën, dogjën, rrëmbyen, dhunuan, maltretuan e torturuan civilët shqiptarë.
Vuçiqi këtë e ka quajtur si provokim.
“Po përpiqen të provokojnë çdo shtëpi serbe, që çdo shtëpi serbe ta di se nuk guxon të jetë aty, në territorin e Kosovës. Është heshtje e mjerueshme e ndërkombëtarëve dhe botës perëndimore, e cila pretendon se nuk po e sheh çfarë po ndodh”, u tha Vuçiq gazetarëve të shtunën pasdite.
Sipas Vuçiqit, vendet e QUINT-it vetëm do të thonë se nuk janë pro dhe më pas do të heshtin. Ka paralajmëruar se nesër do të flasë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Le t’i pyesim nëse ende duan të shtiren si të painteresuar dhe të pakualifikuar. Do t’ju kujtoj, kur një autobus ndalon në Serbi në pikën kufitare me Kroacinë, dhe në të ka shqiptarë të Kosovës – e gjithë Evropa bën dhe shkruan tekste – edhe pse askush nuk i ka prekur, as arrestuar”, ka thënë Vuçiq.
Ai vlerësoi se këto janë standarde të dyfishta dhe se “duhet të mësohemi”.
“Ne duhet ta forcojmë vendin tonë, të ndjekim ndryshimet në botë, të ndjekim se çfarë po ndodh në mënyrë që të mos habitemi si në vitin 1989 kur nuk e kuptonim se çfarë po ndodhte në botë”, u shpreh presidenti serb./KOHA/