Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se nesër në ora 8 të mëngjesit në Bruksel do të fillojë takimi mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk jam optimist, por unë do të shkojë që të mos mendojnë apo t’ju jap arsye që ta fajësojnë Serbinë, se nuk deshi të marrë pjesë në asgjë”, shtoi Vuçiq, transmeton Telegrafi.
Ai ka ritheksuar se Serbia po kërkon formimin e komunave me shumicë serbe në përputhje me propozimin e ekipit serb dhe anulimin e vendimit për targat.
Presidenti serb si gjithnjë ka bërë dramë në intervistën e dhënë në televizionin Prva duke thënë se situata tani është më e rëndë sesa në 10 vitet e fundit, dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për targat, por për vendimet që Kurti i ka zbuluar në takimin e fundit në Berlin, kur u nënshkrua marrëveshja për diplomat dhe letërnjoftimet.
Sipas tij, Kurti tashmë e ka bërë të qartë se nuk ka asgjë nga asociacioni i komunave me shumicë serbe, dhe se sa i përket targave fillimisht do të ketë qortime dhe dënime, e ajo çfarë sipas presidentit serb i vëri kapakun ishte shkarkimit i komandantit të policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq.
Vuçiq ka folur edhe për propozimin franko-gjerman, duke theksuar se është i gatshëm të diskutojë për këtë propozim, sa i përket normalizimit të marrëdhënies mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Nuk po them se e kemi refuzuar apo pranuar (propozimin) pasi jemi të gatshëm për bisedime. Sipas këtij dokumenti jemi të gatshëm të diskutojmë”, shtoi presidenti serb. /Telegrafi/