Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga Budapesti ku po qëndron për vizitë, duke folur për çështjen e reciprocitetit të targave dhe tensioneve në veri të Kosovës, ka gjuajtur topin te “zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit”.
Ai ka përsëritur kërkesën e shtetit të tij që në Kosovë të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Të hënën, Qeveria e Kosovës vendosi masë reciprociteti për veturat me targa të Serbisë. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Kjo masë ka nxitur serbët në veri të bllokojnë rrugët që çojnë në dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak. Në fakt, Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat duke mos e zbatuar ashtu siç ka qenë në marrëveshjen e Brukselit, për vetëm mbulimin e shkronjave. Me skadimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova nisi zbatimin e reciprocitetit.





