Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se të gjithë ata që morën pjesë në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës “do të japin llogari para institucioneve të Serbisë”.
Në një intervistë për televizion amerikan CNN, Vuçiqi theksoi se këtu përfshihet edhe përgjegjësia e Millan Radoiçiqit, njërit prej liderëve kryesorë të serbëve të Kosovës, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit.
“Serbia, natyrisht, do t’i mbajë përgjegjës të gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale dhe janë në territorin tonë. Ai (Millan Radoiçiqi) është në territorin e Serbisë dhe prokuroria do ta bëjë punën e saj,” tha Vuçiq.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.
Policia kosovare i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
Pesë ditë pas sulmit, Millan Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për këtë sulm, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.
Më 30 shtator, ai dha deklaratë në polici “në cilësinë e qytetarit”, ndërsa rastin e mori përsipër Prokuroria e Lartë Publike në Beograd./Telegrafi/