Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë rreth orës 00:55 të enjten në Loznicë të Serbisë, ka konfirmuar ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq. Daçiqi ka thënë se në vendngjarje u gjet pasaporta e një kosovari, i cili sipas tij, është i dyshuari kryesor për vrasjen.
Përveç pasaportës, në vendngjarje, sipas Daçiqit, është gjetur edhe një dokument gjerman i identifikimit. I dyshuari është me inicialet A.H., viti i lindjes 1991. Personi tjetër, siç raporton “N1”, është arrestuar megjithëse nuk i dihet identiteti.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar veturat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një veturë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.





