Gjykata Supreme e ka hedhur si të pasafatshme ankesën e Shoqatës “Down Syndrome Kosova” kundër PZAP-së, e cila e pati refuzuar ankesën e shoqatës ndaj udhëzuesit të KQZ-së për votim me asistencë.
Shoqata ishte ankuar fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër udhëzuesit të KQZ-së për votim me asistencë, i cili parasheh që personat me aftësi të kufizuara, të cilët votojnë me asistencë, të kenë edhe raportin mjekësor. Pasi PZAP-ja ia refuzoi ankesën, shoqata paraqiti ankesë në Supreme.
Përmes ankesës, shoqata kërkoi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para organizimit të çdo procesi zgjedhor të ardhshëm, të rishikojë dhe harmonizojë Udhëzuesin për Procedurat e Votimit me Asistencë me dispozitat kushtetuese, ligjore dhe me standardet ndërkombëtare që garantojnë të drejtën e votës, duke siguruar që të mos pamundësohet ushtrimi i së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuara.





