Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme dhe të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me hapësirat shtesë për votim jashtë përfaqësive diplomatike.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në pyetjen se çfarë do të bëjë ky institucion pas vendimit të Gjykatës Supreme që ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së për organizimin e votimit jashtë përfaqësive diplomatike, më konkretisht në 10 Qendra Votimi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, përmes të cilit konfirmohet vendimi i PZAP-it për çështjen e 10 Qendrave të Votimit të planifikuara nga KQZ që të hapen në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike sipas propozimit të MPJD-së. KQZ do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtyre vendimeve”, tha Elezi.
Më 26 nëntor 2025, KQZ kishte marrë vendim për miratimin e 50 Qendrave të Votimit në përfaqësi diplomatike të vendosura në 36 shtete për të mundësuar votimin e 63 mijë votuesve dhe 10 Qendra të Votimit në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit të MPJD-së. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistroheshin për të votuar 41 mijë./Sinjali
