Eurodeputetja Viola von Cramon do ta vizitojë Beogradin, të hënën, më 30 maj, dhe me këtë rast do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Danas.
Sipas portalit European Western Balkans, disa nga temat e bisedës do të jenë procesi i integrimit evropian të Serbisë, harmonizimi i Serbisë me masat kufizuese ndaj Rusisë, çështjet energjetike dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Von Cramon, që është anëtare e të Gjelbërve Evropianë dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, e vizitoi Beogradin për herë të fundit në tetor të vitit të kaluar, kur mori pjesë në Forumin e Sigurisë, transmeton Klankosova.tv.
Ajo është gjithashtu anëtare e delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitetin e Stabilizim-Asociimit BE-Serbi.
Ky do të jetë takimi i parë zyrtar Von Cramon-Vuçiq. Eurodeputetja ishte shpesh kritike ndaj situatës në Serbi, veçanërisht në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, dhe ishte gjithashtu objektiv i sulmeve nga zyrtarë të lartë shtetërorë dhe tabloidë proqeveritarë, transmeton Klankosova.tv.
Ajo akuzohej nga Beogradi edhe si lobiste e madhe e Kosovës së pavarur.