Eurodeputetja Viola von Cramon do ta vizitojë Beogradin, të hënën, më 30 maj, dhe me këtë rast do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Danas.
Sipas portalit European Western Balkans, disa nga temat e bisedës do të jenë procesi i integrimit evropian të Serbisë, harmonizimi i Serbisë me masat kufizuese ndaj Rusisë, çështjet energjetike dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Von Cramon, që është anëtare e të Gjelbërve Evropianë dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, e vizitoi Beogradin për herë të fundit në tetor të vitit të kaluar, kur mori pjesë në Forumin e Sigurisë, transmeton Klankosova.tv.





