Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për një rast vjedhjeje që ndodhi në orët e para të mëngjesit në Sheshin “Shatërvan” në Prizren, ku u raportua se janë vjedhur rreth 5 mijë euro.
Ngjarja ka ndodhur më 24 qershor, rreth orës 01:50, kur viktima A.K. raportoi se i ishte vjedhur çanta me para. I dyshuari, A.P., dyshohet se ka marrë çantën ku ndodheshin rreth 5000 euro.
Policia ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke arritur që vetëm disa orë më vonë, rreth orës 04:00, të lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin në një lokal nate. Gjatë kontrollit, tek ai janë gjetur 2540 euro, mjete që dyshohet të jenë pjesë e shumës së vjedhur. Paratë janë sekuestruar përkohësisht nga autoritetet.





