Vlora Çitaku, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka kthyer dialogun me Serbinë nga marrëveshja politike në problem të sigurisë. Sipas saj, Kurti në dialog do të nënshkruajë marrëveshje për Asociacionin e për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik.
Të hënën e 27 shkurtit, Kurti do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pritet që palët të diskutojnë për planin franko-gjerman. Sipas Çitakut, ky plan “nuk ka pikur nga qielli”.
“Ai është produkt i negocimit të Kryeministrit tash e dy vite. Kryeministri Kurti ka arritur suksesshëm që dialogun Kosovë – Serbi nga marrëveshja politike ta kthejë në problem të sigurisë. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë asociacionin, apo Zajednicën siç e quante dikur. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik. Kaq për gjenialitetin e Kryenegociatorit Kurti”, ka shkruar ajo në Facebook të enjten.
