Vlerat e urave të Prizrenit janë shpalosur përmes publikimeve të shoqërisë civile, por edhe të autoriteteve komunale.
Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” të hënën ka bërë të ditur se me synimin që të promovojë rëndësinë dhe vlerën e urave të qytetit të vjetër, ka publikuar hulumtimin “Trashëgimia mbi Lumëbardh – Urat e Prizrenit dhe vlerat e tyre”.
Kjo organizatë ka theksuar se roli i urave në jetën e qytetit dhe të shoqërisë ka peshë të veçantë, dhe se në rastin e Prizrenit, përgjatë historisë, ato kanë luajtur një rol të rëndësishëm praktik, ekonomik, kulturor, historik dhe së fundmi turistik, raporton Telegrafi.
Hulumtimi sipas EC-it është realizuar në tri pjesë.
“Në pjesën e parë, janë hulumtuar arkivat, librat dhe dokumentet e ndryshme mbi urat që kanë ekzistuar dhe akoma ekzistojnë në Prizren. Më pas, janë realizuar intervista me ekspertë nga fusha e historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në fund, është realizuar edhe një pyetësor me qytetarët e Prizrenit. Të gjitha këto përpjekje synojnë të sigurojnë një pasqyrë të qartë mbi gjendjen e urave publike dhe rëndësinë e tyre për qytetin e Prizrenit, pasi ato janë më shumë se struktura, respektivisht janë lidhje mes njerëzve, epokave dhe kulturave”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj në rrjetet sociale ka publikuar video imazhet e urave të qytetit të vjetër, raporton Telegrafi.
“Urat e Prizrenit janë më shumë sesa struktura arkitektonike – ato janë simbole të bashkimit, historisë dhe bukurisë së qytetit. Duke lidhur brigjet e Lumëbardhit, urat mishërojnë harmoninë mes kulturave dhe kohërave, ndërsa shërbejnë si pika takimi për qytetarët dhe vizitorët. Çdo gur dhe hark i tyre flet për traditën e pasur dhe shpirtin mikpritës të Prizrenit, që krijon një lidhje të përhershme mes së shkuarës dhe të ardhmes”, ka bërë të ditur Totaj. /Telegrafi/