Kështu u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një konference të përbashkët me homologun Bajram Begaj.
Kryeshtetarja e Kosovës tha se Shqipëria dhe Kosova kanë një lidhje unike, historike e kombëtare.
“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike, historike, kulturore e kombëtare që e bën bashkëpunimin dhe lidhjen tonë të fortë e të pathyeshme. Përballë sfidave ne qëndrojmë të bashkuar duke u bashkuar në një qëllim: stabiliteti, prosperiteti dhe integrimi euroatlantik i vendeve tona. Kombi shqiptar gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euroatlantik,” u shpreh Osmani.
Kosova nuk njihet nga të gjitha shtetet ndërkombëtarisht, ndaj presidentja Osmani theksoi nevojën për mbështetjen nga Shqipëria, për të qenë zëri i saj në instancat ku Kosova ende nuk përfaqësohet.
“Synim shtetëror e strategjik yni mbetet anëtarësimi në NATO dhe në BE, si dhe në të gjitha organizatat e tjera ku kemi interes shtetëror. Fuqizimi i koordinimit të vazhdueshëm në politikën e jashtme është në dobi jo vetëm të shteteve tona, por edhe të rajonit më gjerë. Prandaj edhe kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme,” deklaroi Osmani.
Në 12 vitet e fundit janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare ndërministrore, ndërinstitucionale mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Osmani tha se ato synojnë fuqizimin e shteteve tona dhe lehtësimin e jetëve të qytetarëve.
“Shteti i Kosovës, sikurse edhe Shqipëria, e kanë të qartë orientimin proeuropian dhe euroatlantik. Jemi përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe vendeve demokratike, jo vetëm sa i përket zhvillimeve në rajon, por në gjithë kontinentin tonë, sidomos me sfidat që po përballemi si kontinent në këto dy vitet e fundit. Ne jemi të vendosur për të kontribuar në funksion të paqes dhe stabilitetit, dhe të mbrojmë së bashku vlerat që po rrezikohen dhe atakohen nga Rusia dhe satelitët e saj në rajon. E kemi po ashtu detyrim që së bashku të punojmë për avancimin e interesave të të gjithë shqiptarëve në rajon, të cilëve vazhdimisht u shkelen të drejtat elementare, si atyre që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc,” deklaroi presidentja Osmani.
Serbia mbetet sfida më madhore për Kosovën në rrugëtimin e saj ndërkombëtar.
“Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë e po ashtu për përkrahjen e aleatëve dhe partnerëve euroatlantikë. Rruga e vetme që sjell paqe dhe stabilitetin për gjithë rajonin tonë është atëherë kur rezultati përfundimtar do të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të brendshëm të Republikës së Kosovës,” u shpreh kryeshtetarja e Kosovës. /rtsh.al/