LAJME

Vjedhje në mes të tregut në Prizren – Policia arreston të dyshuarin në flagrancë

Vjedhje në mes të tregut në Prizren – Policia arreston të dyshuarin në flagrancë
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Shkurt 2026, 13:17

Policia e Kosovës ka njoftuar se hetuesit policorë të stacionit policor në Prizren, të cilët ishin në rroba civile, me qëllim të parandalimit dhe kapjes së kryerësve të mundshëm të veprave penale, kanë arritur ta identifikojnë dhe ta arrestojnë një të dyshuar për vjedhje nga xhepi.

Sipas njoftimit, me datën 25.02.2026, rreth orës 09:40, në rrugën “Rrustë Kabashi” në Prizren, është arrestuar një person i dyshuar, shtetas i Kosovës për vjedhje.

“Rasti është raportuar nga një qytetar, i cili ka deklaruar se derisa gjendej në tregun e Prizrenit, i dyshuari ia kishte vjedhur portofolin me dokumente personale dhe para të gatshme. Hetuesit policorë me rroba civile kanë reaguar menjëherë dhe e kanë ndaluar të dyshuarin. Palët janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar si ‘vjedhje’. I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë” – thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thekson në fund se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve dhe fton qytetarët që të raportojnë çdo rast të dyshuar.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika