Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu ka kërkuar informacione se çka ka ndodhur me 1 mijë testet për COVID-19 që Kosova i kishte pranuar si donacion nga Serbia gjatë qeverisjes Kurti 1. Lidhur me këtë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ato teste nuk janë përdorur dhe për shkak të afatit të skaduar do të asgjësohen si çdo material tjetër laboratorik.
Deputeti i PDK-së në seancën e sotme plenare, pyeti Vitin se sa është barra shtesë për asgjësimin e këtyre 1 mijë testeve për COVID-19 të dhuruara nga Serbia.
“Deputetët por edhe ministrat që nuk i mbajnë maskat është mirë me i larguar nga seanca, në veçanti kur varianti, por e di që nuk po iu pëlqen disa por ne jemi të gjithë deputet kemi kontakte me qytetar variant Delta është prezent dhe duhet të mbrohemi të gjithë…Më datën 17 prill 2020 në kohën kur ishit ministër i Shëndetësisë në qeverinë Kurti 1 keni pranuar donacion për COVID 1 mijë teste nga Serbia sipas raportimeve të udhëheqësisë të IKSHP-së në Komisionit për Shëndetësi këto 1 mijë teste donacion nga Serbia nuk janë përdorur për testim të qytetarëve të Kosovës pasi këto teste nuk janë përdorur për qytetarët e Kosovës ndërsa Serbia u prezantua në mediat më prestigjioze si shumë humane . Pasi që këto teste nuk janë përdorur ende këto 1 mijë teste nga Serbia a janë larguar dhe a janë jashtë përdorimit si do veproni me këtë donacion që e keni pranuar nga Serbia a do ia ktheni Serbisë“, tha Haxhiu.
Vitia tha se këto teste do të asgjësohen si çdo material tjetër laboratorik në momentin e parë që mundshëm.
“Bazuar në të dhënat e IKSHP-së ato ruhen si edhe shumica e materialeve laboratorike të tjera dhe se ashtu siç ju nuk janë përdorur asnjëherë për shkak të skadencës këto kite do të trajtohen si të gjitha materialet e mikrobiologjisë me afat të skaduar sipas procedurave të Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK meqë nuk kërkohen procedura të veçanta të asgjësimit për to dhe numri i këtyre testeve nuk është i madh kjo nënkupton se do asgjësohen në momentin e parë bashkë me mbetjet e tjera të laboratorit”, theksoi ai.
Ministri Vitia tha se halli më i madh i tyre janë tonelata e shumta të barnave me afat të skaduar, për të cilat siguroi që do ua bëjnë qaren.
“Hallin më të madh qeveria aktuale e Kosovës dhe MSh e ka me tonelata e tonelata barna të cilat kërkojnë procedura procedura specifike për asgjësim dhe që fatkeqësisht janë blerë pa asnjë procedurë nga qeveritë e kaluara dhe tani janë grumbulluar në stoqet tona në depot e MSh-së të cilat jeni të sigurt se dhe aty do ia gjemë qaren”, tha ai.
Tutje deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka hedhur dyshimet për manipulim me shifrat e administrimit të vaksinave.
“Ka një mospërputhje totale në raportimet MSh-së a mundeni me na tregua se çka po ndodh me këto raportime, si mund të ndodh me u prezantuar vaksinimet ditore 12 mijë, ndërsa dozën e parë shtohen për 128 mijë brenda 24 orëve, ku është problem a nuk po arrini me mbajtur evidencën apo po tentoni rrejshëm me prezantuar shifrat çka ka ndodhur sepse ka mos përputhje shumë të madhe në raportimet në faqen zyrtare të MSh?”, tha ai.
E për këtë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se raporti është i thjesht dhe i qartë.
“Raporti për të dhënat e dozave të administruara të vaksinës kundër COVID-19 është shumë i thjesht dhe shumë i qartë nuk kërkon analizën që keni bërë, dhe keni mundur çdo herë me e pa”, tha Vitia.