Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se gjendja në sektorin e shëndetësisë është nën kontroll dhe me tendencë përmirësimi. Ai para deputetëve ka thënë se që nga marrja e detyrës si ministër, objektivë ka pasur luftën kundër koronavirusit, sigurimin e vaksinave, sigurimin e barnave dhe trajtimin e duhur të pacientëve.
Vitia ka thënë se në fillim të marrjes së mandatit, shifrat pozitive dhe të vdekjeve nga koronavirusi ishin të larta.
“715 raste mesatare deri më 10 prill, mbi 10 mesatarja e vdekjeve në ditë, 900 pacientë të shtrirë në spitalet e vendit, 650 pacientë në nevojë për oksigjen dhe 97 për qind e testimeve pozitive me variantin britanik të koronavirusit”, ka thënë Vitia.
AI ka deklaruar se ditëve të fundit është vërejtur një ngritje e dukshme e pacientëve që e kanë mposhtur koronavirusin.
“Në 28 ditët e para të kabinetit tonë janë 111.536 të testuar ndërsa në 20 ditët paraprake ishin 98.140 testime. Për 13.4 për qind janë testuar më shumë në periudhën e fundit”, ka shtuar tutje ai.
Ministri i Shëndetësisë ka thënë se janë në rrugë të mbarë për ta siguruar kontingjentin e dytë të vaksinës përmes COVAX dhe se janë në bisedime me të gjitha kompanitë prodhuese.
“Është ngritur një grup punues që po e shikon strategjinë e testimit, po mundëson testimin sa afërt vendbanimeve të qytetarëve Në procesin e vaksinimit ishin angazhuar 66 ekipe, mungesa e stafit mjekësor në qendrat e vaksinimit ka qenë sfidë me të cilën jemi përballur”, ka thënë Vitia.