Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës Hysen Durmishi, ka njoftuar se kanë vënë nën mbrojtje Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmanit.
Ai ka thënë se javën e kaluar ka nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të “Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit”, i cili sipas tij është nga vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në Kosovë.
“Me këtë vendim, Republika e Kosovës bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në gjithë Ballkanin Perëndimor. Pas një studimi njëvjeçar në terren, është konstatuar se kjo zonë përbën pasuri të rrallë natyrore, me biodiversitet të pasur dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike e shkencore”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Ai ka shkruar se zona me sipërfaqe prej 192.19 km² tashmë vihet nën mbrojtje paraprake, siç ka thënë duke e ngritur në 12.4% përqindjen e territorit të Kosovës që mbrohet ligjërisht.
