30 dhjetori- zyrtarisht shënohet si Dita e Veteranit në bazë të Ligjit për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Në këtë ditë kujtohet sakrifica, angazhimi dhe kontributi i veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.
Njëherësh kujtohet edhe beteja e parë e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, nga ku nisi edhe rrugëtimi për liri.
Me rastin e shënimit të kësaj dite, kryetari në detyrë i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Fatom Klinaku, në një intervistë për Klankosova.tv tha se gjendja e veteranëve të luftës së UÇK-së nuk është dhe aq mirë.
“Një veterani të luftës i takon në bazë të Ligjit i takon një pension prej 170 eurosh duke ua mohuar edhe të drejtën të punojnë. 170 euro nuk janë të mjaftueshme për ta mbajtur familjen. Gjendja e tyre nuk është dhe aq mirë. Mohimi i të drejtës për punë i bën ata të ndihen të padobishë. Ka shumë nga veteranët që duan që edhe më tutje t’i kontribuojnë vendit”.
Klinaku tha se veteranët nuk kanë pasur përkrahja as nga Qeveria Kurti 1 dhe as nga kjo aktuale.
“Qeveritë e kaluara na kanë përkrahur deri në një masë, duke i dërguar disa nga veteranët edhe në rehabilitim. Nga Qeveria Kurti 1 dhe as nga kjo nuk kemi pasur as edhe një përkrahje. Ne ndihemi të lënë pas dore nga shteti”.