Llogaritë e lidhura me shërbimin e internet banking u rritën me ritme dyshifrore për vitin 2020. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 586 mijë, në rritje vjetore me 33% ose rreth 144 mijë llogari më shumë. Përdorimi i internet banking është rritur për të dymbëdhjetin vit radhazi, ndërkohë që vetëm në harkun e pesë viteve të fundit, numri i llogarive të aksesueshme nga interneti është katërfishuar. Viti 2020, megjithatë, u shoqëria me ritme rritjeje rreth tre herë më të larta krahasuar me vitin 2019.
Duket se pandemia dhe kufizimet i kanë dhënë një shtysë të fortë rritjes së përdorimit të shërbimeve bankare nëpërmjet internetit. Rritja e numrit të llogarive të lidhura me internetin ishte e lartë si te bizneset, me pothuajse 39%, edhe tek individët, me 33%. Në total, statistikat tregojnë se rreth 89% e llogarive të lidhura me internetin u takojnë individëve, që njëkohësisht zotërojnë edhe peshën më të lartë në strukturën e llogarive bankare. Si raport i thjeshtë i numrit të llogarive me numrin e përgjithshëm të popullsisë, vlerësohet se në Shqipëri, numri i llogarive të lidhura me internetin është sa rreth 21% e popullsisë, në rritje të ndjeshme prej nivelit 15.5% të vitit 2019.
Shërbimi i internet banking ofrohet nga 11 prej 12 bankave tregtare në Shqipëri. Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëri, bankat po fokusohen në promovimin e këtyre shërbimeve si kanal alternativ për marrëdhëniet me klientët. Promovimi i internet banking u nxit më shumë pas shpërthimit të pandemisë, i nxitur edhe nga masat rregullative të Bankës së Shqipërisë, që gjatë mbylljes së ekonomisë pezulloi komisionet për pagesat ndërbankare nëpërmjet internetin.





