LAJME

Vetëm 44 anesteziologë në QKUK, paralajmërohet hapje e konkursit

Vetëm 44 anesteziologë në QKUK, paralajmërohet hapje e konkursit
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Mars 2026, 11:30

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka paralajmëruar hapjen e konkursit për anesteziologë të rinj në të gjitha njësitë përbërëse të ShSKUK-së, duke përfshirë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet e përgjithshme rajonale.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Anesteziologëve të Kosovës, në të gjitha klinikat e QKUK-së janë vetëm 44 anesteziologë.

“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka qenë në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë për hartimin e një plani për hapjen e konkursit për anesteziologë në të gjitha njësitë përbërëse të ShSKUK-së, përfshirë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme rajonale. Andaj, ju njoftojmë se konkursi për anesteziologë pritet të hapet gjatë ditëve në vijim”- kanë thënë nga QKUK për KALLXO.com.

Për mungesën e hapjes së konkursit për anesteziologë, KALLXO.com ka pranuar ankesa nga specialistë anesteziologë.

Njëri nga ta i cili ka përfunduar gjashtë vite fakultet dhe pesë vite më pastaj specializim i ka thënë KALLXO.com se ka rreth 3 muaj si i specializuar e licencuar por që nuk ka mundur të punësohet për shkak të moshapjes së konkursit.

“Unë jam mjek anestesteziolog i licencuar tash e tre muaj. Në fillim ka qenë një arsyetim se po presim me u grumbullu më shumë kandidatë se ishin dhe disa kolegë në përfundim të specializimit dhe pse ishte e padrejtë për disa prej neve që jemi rreth 20 anesteziologë që e kemi përfundu specializimin më herët po gjithsesi u pajtuam. Tash nuk po hapet konkursi. Kemi mbetë të papunë. Na është premtu që do të hapet do të hapet por ende nuk ka ndodh kjo”- ka thënë njëri nga specialistët anesteziologë në kushte anonimiteti për KALLXO.com.

Argeta Gashi-Gecaj, kryetare e Shoqatës së Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës, tha se deri më tani janë 21 anesteziologë specialistë të licencuar ndërsa pritet që dhe tre të tjerë të përfundojnë specializimin javën e ardhshme.

Mijëra pacientë nga e gjithë Kosova janë në listat e pritjes për shërbime të caktuara në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Në Kardiokirurgji të QKUK-së pritjet janë 4 deri në 5 muaj. Pritje ka edhe në Klinikën e Urologjisë (256 pacientë), në Kirurgjinë e Fëmijëve (341 pacientë), në Neurokirurgji (109 pacientë), në Kirurgji Torokale (269 pacientë), në Mjekësi Nukelare (220 pacientë), në Kirurgji Plastike (240 pacientë), në Kirurgji Maksifilloaciale (33 pacientë).

Pritje të gjata ka edhe në Klinikën e Ortopedisë. Sipas raportit të punës së ShSKUK-së, janë 2478 pacientë në pritje për vendosjen e protezës së gjurit dhe kërdhokullës. Kjo listë e pritjes përfshinë pacientë nga viti 2020 deri në vitin 2025.

Ndër shkaqet kryesore për listat e pritjes thuhet se janë mungesa e sallave operative si dhe mungesa e anesteziologëve./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika