Edhe 10 për qind të vendvotimeve kanë mbetur pa u procesuar në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga procesi i verifikimit të votave në vendvotimet në Kosovë, në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Pas verifikimit të rreth 90 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje mbetet larg e para me rreth 49 për qind, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me mbi 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me më pak se 13 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që kalon pragun, por merr më pak se 6 për qind. Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje do të mund të formojë Qeverinë vetëm në bashkëpunim me komunitetet joshumicë. Partia e Albin Kurtit ka marrë 56 ulëse nga 100 sa janë për partitë shqiptare. PDK-ja do t’i ketë 23, LDK-ja 15 e AAK-ja 6.
Gjatë ditës së premte (sot) pritet që të nisë edhe numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora. Këto janë vota përmes postës.
Ndërkaq nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19 mijë e 187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16 mijë e 165 prej tyre, pra 84.24 për qind.
Numri total i votave pritet të jetë rreth 950 mijë.
