Në trevjetorin e rënies në krye të detyrës është vendosur gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Paraprakisht, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij.
Haxhiu, Sveçla dhe Hoxha kanë nderuar kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Homazhet janë bërë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e trevjetorit të rënies së Bunjakut, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë përleshjes me grupin e armatosur serb që sulmoi Policinë e Kosovës.
Grupi i organizuar pati vrarë Bunjakun në një pritë në veri, ndërsa gjatë ikjes ishte mobilizuar në fshatin Banjskë. Pamjet nga droni kanë kapur fytyrat e dhjetëra të dyshuarve, ndërsa ato kanë shfaqur edhe momentet e ikjes së tyre.
Policia e Kosovës pati kapur arsenal armësh pas sulmit për të cilin Kosova e akuzon direkt shtetin e Serbisë.
Nga grupi terrorist tre persona të akuzuar ndodhen në paraburgim. E më 11 shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe mbi 40 të tjerëve. Por që të gjithë ndodhen në Serbi./KOHA