Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vendosën sot gurthemelin e Kuzhinës Qendrore në Podujevës, e cila do t’i shërbejë 10 mijë fëmijëve, prej çerdheve e parashkollorëve deri te klasat I-IX.
Zyra e Kreyministrit ka njoftuar se vlera e këtij investimi është 700 mijë euro. Sipas ZKM-së, kuzhina do të ketë një sipërfaqe prej 1150 metra katrorë, ku përfshihen salla e restorantit, hapësirat për punëtorë dhe administratë dhe dhomat përcjellëse.
“Ky është një lajm i mirë për mirëqenien e fëmijëve në njërën anë, dhe për kujdesin e komunës e të qeverisë për të drejtat dhe nevojat e fëmijëve në anën tjetër, sepse të gjithë e dimë se mësimnxënia varet shumë nga mirëqenie e nxënësve”, u shpreh kryeministri në detyrë Kurti me rastin e vendosjes së gurthemelit. Ai i falënderoi të gjithë ata të cilët kanë kontribuar deri më tani dhe për punët që do t’i bëjnë në vijim deri atëherë kur do të bëhet përurimi i Kuzhinës Qendrore, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas njoftimit, kryetari Bulliqi tha se ky sot është një moment i veçantë për qytetarët e Podujevës. Me këtë kuzhinë, theksoi ai, fëmijët do të kenë mundësi që të kenë ushqim të ngrohtë, dhe kësisoj po bëhen përgatitjet e para që të ecet drejt mësimit gjithë ditor në këtë komunë. Më tej, ai veçoi faktin se Podujeva ka pasur vetëm një çerdhe publike, kurse mandatin e tij po e përmbyll me nëntë sosh. Në fund falënderoi kryeministrin në detyrë Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj komunës dhe qytetarëve të saj, njofton ZKM.
Sot në Podujevë po ashtu bëhet përurimi i çerdhes në Kërpimeh dhe përurimi i çerdhes në Orllan.