Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID, pas rritjes enorme të rasteve të reja të infektimeve e të fataliteteve.
Në mbledhjen e 32-të të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se institucionet janë të detyruara të shtrëngojnë masat për të parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.
“Masat kundër pandemisë i kemi propozuar e miratuar në raport me situatën epidemilogjike duke qenë të kujdesshëm për të ruajtur raportin mes shëndetit e ekonomisë. Kur përmirësohej situata i lironim, kur përkeqësohet jemi të detyruar t’i shtrëngojmë. Me miratimin e vaksinës ndryshoi raporti me pandeminë. U kthyem në kundërsulm me vaksinim. E nisëm nga fundi i marsit, e atë masiv nga 15 qershori. Edhe pse e nisëm të fundit në rajon, në gusht për disa javë ishim të parët me mesataren më të lartë në rajon”, ka thënë ai duke shtuar se “një valë e re ishte e pashmangshme në shtator”.





