Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.
Nga Qeveria e Kosovës thonë se kanë plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.
Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve, shkruan Front Online.
Ndërsa, dy ditë më parë është raportuar se është pikërisht Franca ajo e cila ka dhënë sinjale ndryshe, duke mos e kundërshtuar më liberalizimin për qytetarët e Kosovës.
Kjo çështje mund të përmendet edhe në samitin e BE-së, që zhvillon punimet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, edhe pse vendimi nuk merret në këtë nivel të lartë, por nga Këshilli i BE-së.
Që nuk do të ketë vendim për liberalizim të vizave këtë muaj e thonë edhe njohës të kësaj fushe.
Shasha: Takimi i 23 qershorit hap rrugën për vendimin zyrtar për vizat
Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha thotë për Front Online se takimi i 23 qershorit nuk do të ketë efekt ligjor në procesin zyrtar të vendimmarrjes.
“Jo. Ajo çfarë pritet është që të këtë një lëvizje politike në nivelin e Këshillit Evropian, respektivisht takimit të liderëve të shteteve me 23 qershor. Edhe pse kjo nuk do të këtë asnjë efekt ligjor në procesin zyrtar te vendimmarrjes për liberalizimin e vizave, do të jetë një mesazh shumë i rëndësishëm politik për vullnetin e BE-së që t’i jap fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Shasha, për Front Online.
Ai ka deklaruar se në takimin e 23 qershorit do të shprehet vetëm vullneti politik për liberalizim.
“Këshilli i BE-së (niveli i ministrave) përgatit takimet e Këshillit Evropian (shefat e shteteve). Takimi i Këshillit të BE-së i paraparë me 21 qershor do të përgatit takimin e 23 qershorit të Këshillit Evropian. Ajo çfarë pritet është që në të dy këto takime do të shprehet vullnet politik për liberalizimin e vizave por kjo nuk do të këtë efekt ligjor në procesin zyrtar te vendimmarrjes për liberalizimin e vizave. Me fjalë të tjera diskutimi me 21 dhe 23 qershor do të shtron rrugë për nisjen e vendimmarrjes zyrtare e cila do të vazhdon më pastaj në pjesën e dytë të vitit”, ka pohuar ai, duke shtuar se ky proces është stërzgjatur.
Sipas, Shashës, vendimi për viza mund të ndodhë në pjesën e dytë të vitit.
“Duhet pasur pritjet realiste. Nuk ka pothuaj asnjë gjasë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza para 1 janari 2023. Skenari më optimist është që procedura zyrtare e vendimmarrjes të ezaurohet gjatë pjesës së dytë të këtij viti dhe qytetarët të kanë mundësi të lëvizin lirshëm nga 1 janari 2023. Por edhe ky skenar është tejet optimist”, ka deklaruar ai.
Hoti: Në takimin e radhës të Këshillit Evropian mund të merret vendimi për vizat
Mendim të njëjtë ka edhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare Afrim Hoti.
“Nuk pritet ndonjë vendim me datën 23 sepse ky është Samit në të cilin diskutohet dhe kjo varet pastaj nga prioritizimi i kësaj çështje nga vendi që merr udhëheqjen në BE që do të jetë Çekia e kjo Kosovën e ka në thumb dhe sa herë flitet për Kosovën shqetësimi i parë është liberalizimi dhe unë besoj që në takimin e radhës të Këshillit Evropian mund të bëhet marrja e vendimit”, është shprehur Hoti, për Front Online.
Edhe, ky thotë se edhe nëse liberalizohen vizat këtë vit, kosovarët deri në fund të vitit s’mund të udhëtojnë për në vendet e BE-së.
Në kohën kur kanë mbetur vetëm dy javë deri te përfundimi i kryesimit të Francës me BE-në, gjasat janë që ky vendim të hyjë në procedurë gjatë presidencës së Çekisë, e cila nis nga 1 korriku./Front Online