Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla theksoi se nuk ka asnjë pritje nga Gjykata Speciale në Hagë sa i përket vendimit final për katërshen e UÇK-së.
E pyetur nga mediat në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë, Gërvalla tha se duhet t’i shtrohet pyetja pse janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim, porse sipas saj nuk i takon asaj në këtë fazë të jep rekomandime, shkak që sipas saj, kjo gjykatw është votuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Nuk kam asnjë mendim dhe asnjë pritje nga Gjykata ajo duhet ta përfundojë procesin tepër gjatë janë mbajtur të akuzuarit në paraburgim, shtrohet pyetja pse kaq gjatë, mirëpo nuk më takon mua në këtë fazë të jap as rekomandime apo udhëzime gjykatës së votuar nga Kuvendi i Kosovës se çfarë duhet të bëjnë në këtë fazë”, tha Gërvalla.
Ndryshe, më 9 shkurt të këtij viti në Dhomat e Specializuara kanë nisur fjalët përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Katërshja e UÇK-së me 18 shkurt kanë paraqitur fjalët e tyre prej 20 minutash, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Edhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, me pretendimet për krime lufte.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /KP/