LAJME

Vendimet që u miratuan në mbledhjen e tetë të Qeverisë – u ndanë edhe mbi 1 milionë euro për efiçiencën e energjisë në ndërtesa publike në Prizren

Vendimet që u miratuan në mbledhjen e tetë të Qeverisë – u ndanë edhe mbi 1 milionë euro për efiçiencën e energjisë në ndërtesa publike në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Tetor 2026, 13:05

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e tetë të rregullt, në të cilën ka miratuar disa projektligje, kërkesa, raporte dhe vendime.

Ndër to është miratuar edhe kërkesa e Komunës së Prizrenit për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 1,489,670.00€, për realizimin e projektit “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren”, përmes Klauzolës së Investimeve. Kjo me qëllim të përmbushjes së obligimeve financiare që rrjedhin nga punët e realizuara, në përputhje me dinamikën e zbatimit të projektit.

Gjatë kësaj mbledhje, Qeveria ka miratuar poashtu:

  • Vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme, strukturave (objekteve të banimit, objekteve përcjellëse dhe ekonomike), kulturave bujqësore dhe investimeve të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Rrugës Korishë — Kabash – Lidhja me Rrugën Rajonale R-118”, Zonat Kadastrale: Lubizhdë, Skorobishtë, Korishë dhe Kabash, Komuna e Prizrenit.
  • Vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit: “Ndërtimi i Rrugës Tranzit në Klinë, nga N9 deri R-1041 Klinë – Gurakoc”, Zona Kadastrale Klinë, Klinafc, Dollc dhe Dresnik, Komuna e Klinës.
  • Vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit: “Ndërtimi i Autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, Segmenti Banullë -Bresalc”, Zonat Kadastrale: Smallushë dhe Sllovi, Komuna e Lipjanit.

Ndërsa, janë miratuar 4 projektligje si më poshtë:

  • Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Ekstradim. Ky projektligj ndërlidhet me prioritetet e Qeverisë për forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e bashkëpunimit juridik dhe rritjen e efikasitetit në luftimin e kriminalitetit. Ratifikimi i Marrëveshjes kontribuo në zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e së drejtës penale dhe lehtësimin e procedurave ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu, projektligji i shërben integrimit evropian.

    Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale. Ky projektligj ka për qëllim të kontribuojë në arritjen e objektivave për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe rritjen e bashkëpunimit juridik me shtetet e tjera.

  • Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Transferimin e Personave të Dënuar, i cili ka për qëllim forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, si dhe lehtësimin e procedurës ligjore mes tyre në këtë fushë.
  • Projektligji për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës. Qëllimi i këtij projektligji është ratifikimi i traktatit me Belgjikën për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet penale, duke përfshirë ofrimin e dokumenteve, të dhënave, informacioneve, sendeve, ekzekutimin e kërkesës për bastisje apo sekuestrim, komunikimin e të dhënave gjyqësore, marrjen e deklaratave, zbatimin e urdhrave për konfiskim, transferimin e përkohshëm të personit në paraburgim, si dhe krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore.

Tutje, Zyra e Kryeministrit njofton se Qeveria ka miratuar Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit Nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijës, Raportin për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë, për vitin 2025, i cili do t’i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe Raportin për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë, për vitin 2025, i cili do t’i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, është miratuar vendimi me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit të Republikës së Kosovës për emërim anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës, në këtë përbërje:

  1. Aliriza Arënliu, Psikologji;
  2. Arbnora Dushi, Folkloristikë;
  3. Armond Daci, Farmakologji;
  4. Arven Syla, Energjetikë;
  5. Besnik Krasniqi, Ekonomi dhe Ndërmarrësi;
  6. Emine Kalaja-Hajdari, Histori;
  7. Fetah Podvorica, Elektrokimi;
  8. Ibrahim Krasniqi, Ekonomi dhe Menaxhim;
  9. Majlinda Bregasi, Gjuhësi;
  10. Mentor Alishani, Veterinari;
  11. Mihone Kerolli-Mustafa, Inxhinieri Mjedisore;
  12. Mimoza Ibrani, Telekomunikacion;
  13. Myzafere Krasniqi-Limani, Elektronikë;
  14. Tringa Dedi, Pedagogji;
  15. Valmir Krasniqi, Matematikë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika