LAJME

Vendet që mund të vizitohen nga turistët në qytetin e bukur të Prizrenit

Vendet që mund të vizitohen nga turistët në qytetin e bukur të Prizrenit
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Prill 2023, 14:59

Kalaja e Prizrenit, Xhamia e Sinan Pashës, kisha ortodokse e Shën Gjergjit, Katedralja e Zonjës Ndihmëtare, Lumbardhi, kisha e Shën Premtes, objekti i Hamamit dhe Sahat Kullës, Hamamin e Gazi Mehmet Pashës, Ura e Gurit dhe Kompleksi i Marashit janë vetëm disa nga pikat kryesore ku çdo turistë mund ta eksploroj në qytetin antik të Prizrenit.

Prizreni është qytet në pjesën jug-perëndimore të Kosovës, i dyti në Kosovë për nga madhësia. Është komuna më e madhe në rajonin jugor të Kosovës, me afër 180 mijë banorë, të cilët jetojnë në qytet dhe 76 fshatra.

Qytet i hapur tregtar, metropol dhe djep i zejtarisë, kulturës e artit bëhet në shekullin XIV gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.

Si “Qytet muze” shquhet sepse është i pasur me monumente të trashëgimisë kulturore e fetare, por njëkohësisht edhe me objekte të arkitekturës autoktone. Shumë-etniciteti është veçori tjetër, ngase në të jetojnë shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët e serbët. Si shëtitje nëpër kohë, cilësohet sheshi në qendrën e qytetit pasi që aty dallohen objekte të shumta të trashëgimisë kulturore e fetare që shtrihen në një perimetër të ngushtë, si dëshmi për larminë dhe tolerancën e gjatë ndëretnike dhe ndërfetare.

Kalaja e Prizrenit e cila shtrihet si kurorë mbi qytetin, përmban një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë të qytetit dhe konsiderohet si simbol i qytetit. Nga aty, mund të shihet i tërë kompleksi muzeal i Lidhjes së Prizrenit. E Prizreni zë një vend të veçantë në historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pikërisht se ishte kryeqendër e Lidhjes së Prizrenit, që u themelua me 10 Qershor 1878.

Me zbritjen nga Kalaja ju kaloni pranë Xhamisë së Sinan Pashës, e cila është njëra prej objekteve më reprezentative të qytetit. Nuk është xhamia më e vjetër e Prizrenit, mirëpo është xhamia më e bukur e qytetit dhe më gjerë. Simbol identifikues i Prizrenit ndërtuar në vitin 1615, arkitektura e saj paraqet fuqi, kompaktësi, sharm dhe elegancë.

Objekte të fesë ortodokse dhe katolike ndodhen afër kësaj xhamie. Kisha ortodokse e Shën Gjergjit është pjesë e mozaikut të objekteve të trashëgimisë fetare që janë të vendosura në sheshin e Shadërvanit, derisa ecja e shkurtër nëpër Qafën e Pazarit të shpie te Katedralja e Zonjës Ndihmëtare.

Me kalimin e rrugicave të ngushta dhe Lumbardhin, hasim në Kishën e Shën Premtes si njëra nga objektet e trashëgimisë fetare e kulturore që përshkruan ecuritë historike të Prizrenit. Ky objekt është monumenti i parë i qytetit të Prizrenit që u radhit në listën e UNESKO-s në vitin 2006.

Pothuajse ngjitur me Kishën e Shën Premtës është objekti i Hamamit dhe Sahat Kullës, që sot funksionon si Muze Arkeologjik. Ky muze është i vendosur në Sahat-Kullë dhe galerinë e Hamamit, kurse i ndërtuar më 1498.

Hamamin e Gazi Mehmet Pashës është vendi me të cilin ballafaqohemi nëse ecim tutje në rrugicat e ngushta drejtuar qytetit. Hamami i Prizrenit është një monument i periudhës së hershme otomane në të cilën kombinohen traditat orientale dhe lokale.

Pas Hamamit, rruga të shpie te Ura e Gurit e cila është e vendosur në qendër të qytetit dhe e ndërtuar gjatë shekullit XVI nga gurët e gdhendur lokal, me tri harqe.

Dhe nga Kompleksi i Marashit mund të shijoni atraksionet natyrore, gjendet në pjesën lindore të Prizrenit dhe paraqet një simbiozë të këndshme të trashëgimisë natyrore dhe arkitektonike.

“Mirë se erdhët në Jugun Magjepës”

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika