Sezoni i favorshëm me klimë të ngrohtë dhe rritja e kërkesës për lakër shqiptare nga vendet e Lindjes dhe ato baltike ndikuan pozitivisht eksportet e zarzavateve në sasi në dymujorin e parë të 2025.Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se shitjet e sasive të zarzavateve jashtë vendit shënuan rritje vjetore me 71% në janar-shkurt 2025, por në të njëjtën periudhë eksportet e frutave pësuan rënie vjetore me 48%.
Klima këtë vit ka favorizuar rendimentin e perimeve dhe zarzavateve të dimrit në fushë. Ruzhdi Koni, eksportues i prodhimeve bujqësore, pohoi se janë rritur shumë eksportet e lakrës përtej Rajonit, sidomos në vendet e Lindjes dhe ato baltike, Bullgari, Poloni, Ukrainë, Moldavi, Letoni, Lituani, Estoni etj.Koni tha se ka pasur dy zhvillime pozitive këtë vit pikërisht për lakrën, kërkesa dhe çmimi u rritën njëkohësisht.
Lakra është baza e kulinarisë në kuzhinën e vendeve të Europës Lindore, mirëpo prodhimi i brendshëm tyre nuk ka qenë optimal, duke ndikuar në rritjen e kërkesës në vende të tjera. Shqipëria ishte favorite.Ndryshimi i klimës po i nxjerr gjithnjë e më herët prodhimet në treg, duke i bërë konkurruese si në çmime dhe në kërkesë.





