Ka vdekur në moshën 81-vjeçare Adil Pireva, një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1968.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë dhënë familjarët.
Pireva ishte veprimtar i lëvizjes çlirimtare, i burgosur politik.
Gjatë viteve 1964-68 punoi si mësues në Lupq të Poshtëm, më pas filloi punë në “Rilindje” si gazetar.
“…Në prill të vitit 1981 burgoset sërish dhe vuajti dy muaj izolim. Më 1989 anëtarësohet në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe më 1991 zgjidhet në organet drejtuese të kësaj partie. Më 1993 rikthehet me punë në ‘Rilindje’, përkatësisht ‘Bujku’, ku punoi deri në bombardimet e NATO-s. Pas çlirimit të Kosovës punoi si gazetar, redaktues dhe përkthyes në Qendrën për Informim të Kosovës. Në vitin 2000 u zgjodh anëtar i asamblesë komunale të Prishtinës dhe më vonë anëtar i Këshillit të Komisionit të Pavarur të Mediave. Është marrë me krijimtari letrare dhe publicistikë. Ka botuar veprat: ‘Gjashtëdhjeteteta shqiptare’ (1994), ‘Vite shprese dhe qëndrese’ (2004), ‘Sprova shqiptare’ (2008), ‘Poezi për fëmijë’ (2008), ‘Demonstratat e para për Kosovën Republikë’ (2016) etj.”, thuhet në fjalorin enciklopedik për Pirevën.





